Kongresi i Lushnjës i mbledhur më 21 janar 1920 ka meritën historike të zgjidhjes përfundimtare të dy detyrave themelore të lëvizjes kombëtare: të krijimit të shtetit relativisht të qëndrueshëm, me institucione demokratike dhe të ruajtjes së sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Shqipërisë. Vendin kryesor në diskutimet e Kongresit e zuri ideja e rimëkëmbjes dhe e organizimit të shtetit të pavarur shqiptar mbi baza kushtetuese.
Shumica e delegateve të frymëzuar nga parimet demokratike e me karakter kushtetues të qeverisjes moderne, përgatiti e miratoi një dokument të posaçëm të titulluar "Bazat e Kanunores së Këshillit të Lartë",17 njohur më vonë me shkurtimin Statuti i Lushnjës.
Ai përbën aktin e parë kushtetues të hartuar e të miratuar nga vetë shqiptarët, por që, sipas studiuesve, "mbetet i paplotë për të qenë një kushtetutë e mirëfilltë e shtetit shqiptar".18 Me gjithë përmbajtjen e tij të shkurtër, gjithsej 6 nene, Statuti i Lushnjës hodhi themelet e shtetit demokratik.
Në të lihej e papërcaktuar përfundimisht forma e qeverisjes megjithëse në nenin 6 për Këshillin e Lartë thuhej se "me të ardhun të mbretit në fronin e naltë mbretnor njofton vetveten të rrëzuar"19. Mos përcaktimi përfundimtar i formës së qeverisjes, shprehte mirëkuptimin e përkohshëm të arritur midis krahut demokrat dhe atij konservator në Kongresin e Lushnjës.
Ky kompromis fashiti kontradiktat ndërmjet këtyre dy grupimeve, duke realizuar bashkimin e të gjitha forcave dhe rrymave politike të asaj kohe në Shqipëri. Produkt i këtij bashkimi qe mrekullia shqiptare e vitit 1920, e shprehur me rifitimin e pavarësisë, ruajtjen e tërësisë territoriale, rimëkëmbjen e shtetit dhe pranimin në Lidhjen e Kombeve.
Sipas Statutit të Lushnjës, në Shqipëri do të ndërtohej një strukturë shtetërore e mbështetur në parimin iluminist të ndarjes së pushteteve e të baraspeshimit midis tyre. Funksioni i kryetarit të shtetit do të ushtrohej nga një Këshill i Lartë, i përbërë nga 4 anëtarë dhe jo nga një person i vetëm siç ishte në vendet e tjera. Pavarësisht se Këshilli i Lartë ishte në pozitën e regjencës, funksionet e tij nuk barazoheshin me ato të monarkut.
Më shumë se një regjencë, ai ngjasonte me një presidencë kolegjiale. Funksionet e tij ishin tepër të kufizuara edhe pse cilësohej si organi suprem i pushtetit. Kjo frymë përshkonte të gjithë Statutin duke filluar nga neni i parë ku thuhej se "Këshilli i Lartë është i detyruar të aprovojë çdo projekt që do t'i paraqitej prej kabinetit, i vërtetuar nga ana e senatit.
"20 Kongresi i Lushnjës u shpreh në favor të monarkisë, për të mos cenuar statusin e miratuar nga Konferenca e Ambasadorëve e vitit 1913 si dhe për të respektuar traditën me të cilën ishte mësuar populli shqiptar në shekuj. Ajo do të ishte monarki kushtetuese me pushtet të kufizuar të mbretit dhe epërsi të parlamentit.
Anëtarët e Këshillit të Lartë, Aqif Pashë Elbasani, Abdi bej Toptani, monsinjor Luigj Bumçi dhe Mihal Turtulli, përfaqësonin krahinat kryesore të vendit dhe " 4 komunitet fetare shqiptare, një bektashi, një sunit, një katolik dhe një ortodoks."21